Një kompani kineze, Henan Kuangshan Crane Co., Ltd., është bërë virale në rrjetet sociale pasi shpërndau rreth 22 milionë euro bonuse për punonjësit e saj.
Një pjesë e shumës, rreth 7.3 milionë euro, u nda gjatë një eventi të organizuar në shkurt, ku stafi u ftua të merrte fizikisht aq para sa mund të mbante në duar. Në aktivitet morën pjesë rreth 7 mijë punonjës, ndërsa në sallë ishin vendosur qindra tavolina të mbuluara me kartëmonedha.
Pamjet e publikuara në internet tregojnë punëtorë që largohen me pako të mëdha parash, duke e kthyer festën e kompanisë në një nga ngjarjet më të komentuara online. Sipas mediave kineze, kompania realizoi rreth 33 milionë euro fitim gjatë vitit 2025, dhe afro 70% e kësaj shume u shpërnda si bonus për stafin.
E themeluar në vitin 2002, kompania operon në prodhimin e vinçave industrialë dhe ofron shërbime në mbi 130 vende të botës. Drejtori i saj është shprehur se synimi i shpërblimeve është të ndihmojë punonjësit përballë kostove të jetesës, duke theksuar se shumë prej tyre përballen me kredi dhe shpenzime të larta mujore.