“Dritat i ke të kryme, veç për Tomën”, përgjimet e kryebashkiakut Kristian Shkrelit që mblidhte vota për shefin Tom Doshi

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 26.02.2026, 14:30

Në Gjykatën e Posaçme vijon shqyrtimi i çështjes penale ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i cili përballet me akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po paraqet dëshmi dhe materiale përgjimi, me synimin për të provuar pretendimet se ai ka ndikuar në procesin zgjedhor në favor të PSD-së së Tom Doshit.

Gjatë seancës, u dëgjuan dëshmitë e disa banorëve të zonës së Stajkës, të cilët kanë pasur kontakte me kryebashkiakun për çështje infrastrukture, kryesisht për furnizimin me energji elektrike dhe rrugën e fshatit.

Dëshmia e Alfred Martinit

Alfred Martini deklaroi para trupit gjykues se ai dhe disa banorë të tjerë ishin ankuar te Shkreli për mungesën e energjisë elektrike në fshat. Sipas tij, takimi ishte zhvilluar në lokalin e kryebashkiakut në Kryebushat.

“Ne kemi shkuar të gjithë si banorë të fshatit Stajkë, jemi ankuar te Kristian Shkreli, se nuk kishim energji elektrike. Jemi takuar te lokali i tij në Kryebushat. E morëm në telefon. Ishim 5 vetë dhe deshëm ta takonim, me xhaxhallarët dhe miqtë e tyre. Në atë takim, na premtoi për dritat dhe për rrugën. Ne shkuam te Shkreli, se ishte kryetar bashkie.”

Ai theksoi gjithashtu: “Për zgjedhjet e 11 majit nuk kam marrë asnjë orientim nga Kristian Shkreli.”

Në sallë, prokurori Dritan Preçi lexoi një përgjim të datës 18 prill 2025, ku sipas dosjes hetimore, Shkreli i drejtohet dëshmitarit me fjalët: “Dritat i ke të kryme” dhe më pas shton “veç për Tomën”. Dëshmitari i përgjigjet: “Mos e çaj kryet”.

Martini e interpretoi këtë komunikim si një bisedë miqësore, duke sqaruar: “Kjo bisedë ishte për shenjë respekti. Me “Tom” në atë bisedë i jemi referuar Tom Doshit.”

Një tjetër përgjim i datës 6 maj 2025 u lexua nga prokuroria, ku Martini dëgjohet të thotë: “Na ka thirrur Kristiani. Vjen nesër Toma, te Angelo në Stajkë, në 6 pasdite. Na ka thirrur të gjithëve si banorë. E mira është me qenë aty, se na duhet edhe për rrugë edhe për gjana. I thuaj dhe Jakut të vijë. Ata që kemi janë, është mirë me qenë aty nesër”.

Martini deklaroi se bëhej fjalë për një takim elektoral në zonë: “Ishim për një miting aty në Stajkë. Ishim për shenjë respekti.”

Ai shtoi se komunikimet me kryebashkiakun lidheshin me shqetësimin për energjinë elektrike: “Unë s’kam komunikuar, por ka komunikuar vëllai se janë ankuar për dritat. Edhe po ashtu axha im e disa persona të tjerë. Problemi është zgjidhur. Banorët janë ankuar te kryetari i bashkisë dhe më pas janë rregulluar dritat. Unë e kam përdorur telefonin e vëllait, kam folur me Kristianin. Unë i kam kërkuar me i shkuar dritat vëllait, se gjynah, kanë qenë dritat si qiri, më pas kanë ardhur dritat tamam.”

I pyetur nga mbrojtja nëse i ishte kërkuar të votonte për ndonjë subjekt politik, Martini u përgjigj: “Jo, s’më ka kërkuar asgjë, ne njëherë jemi ankuar, ia dimë për nder kryetarit të bashkisë.”

Dëshmia e Kol Kolecit

Edhe Kol Koleci foli për situatën infrastrukturore në zonë, duke theksuar se për vite me radhë fshati kishte pasur mungesë energjie.

“Kemi pasur 22 vite pa drita, jemi larë me kusia. Jemi ankuar te ky zotëria dhe na ka zgjidhur punë. Kristiani na ka sjellë korentin, na ka sjellë rrugën e makinës.”

Ai përmendi se në një rast ishte ftuar në një takim ku ishte i pranishëm Tom Doshi, por mohoi çdo orientim për votën: “Në atë takim mbaj mend më kanë thënë me shkuar në takim te Tom Doshi. Unë s’kam biseduar me kryetarin as me kërkënd në botë. U deshka me ardhur vetëm te ju, ne kemi besim shumë te SPAK. Kristiani është djalë punëtor. Unë kam votuar më 11 maj, nuk jam orientuar për të votuar nga asnjë person.”

Dëshmia e Filip Bardhelit

Banori tjetër i Stajkës, Filip Bardheli, deklaroi se përmirësimi i furnizimit me energji kishte ndodhur përpara zgjedhjeve të fundit.

“Unë banoj në fshatin Stajkë. Kemi dijeni se na i kanë rregulluar dritat. Ka qenë para votimeve. Kanë qenë votimet e fundit. Ne kemi shkuar, i jemi ankuar kryebashkiakut për drita dhe për rrugë. Se 20 vjet shtyllat kanë qenë me dru. Kemi shkuar të gjithë personat që ishim në një lagje, ne i kemi kërkuar drita dhe rrugë. Ai premtim nuk na tha, por tha do përpiqem. Nuk më ka orientuar Kristiani me votuar askund.”

Procesi ndaj Kristian Shkrelit vijon, ndërsa gjykata pritet të vlerësojë nëse komunikimet dhe veprimet e përfshira në dosje përbëjnë elementë të veprës penale të korrupsionit zgjedhor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit