Situata në aksin Elbasan–Librazhd vijon të rëndohet pas bllokimit të rrugës kombëtare për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Një problem i ri dhe i rëndësishëm është konstatuar pranë linjës ekzistuese hekurudhore, ku një urë rezulton pothuajse e shembur totalisht.
Ura ndodhet disa dhjetëra metra larg aksit kombëtar, pranë urës së re automobilistike në hyrje të kthesave të Murrashit, rreth 12 kilometra nga segmenti i Dragostunjës, ku më parë ishin raportuar dëmtime të infrastrukturës hekurudhore. Pamjet nga terreni tregojnë çarje të thella në tokë dhe shenja të rrëshqitjeve në disa pjesë të zonës.
Shembja e urës rrit shqetësimet për stabilitetin gjeologjik të gjithë segmentit, ndërsa qarkullimi i automjeteve është devijuar në rrugë alternative të ngushta dhe problematike, duke shkaktuar vonesa të mëdha, madje edhe për mjetet e emergjencës.
Në terren vijojnë punimet për zgjerimin e rrugës si pjesë e Korridorit VIII, por dëmtimet e fundit ngrenë pyetje mbi ndikimin e ndërhyrjeve infrastrukturore në stabilitetin e zonës. Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për vlerësimin e riskut dhe masat konkrete që do të ndërmerren.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë transparencë dhe ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa situata në këtë segment strategjik mbetet shqetësuese.