‘Metamorfoza’, SPAK kërkon 9 vite burg për ish-shefin e Policisë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 26.02.2026, 14:03

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar 14 vite burg për biznesmenin Pëllumb Gjoka, në kuadër të dosjes së njohur si operacioni “Metamorfoza”. Pretenca u rilexua pasi çështja ndaj tij u veçua nga të pandehurit e tjerë dhe po shqyrtohet me gjykim të shkurtuar, çka do të thotë se në rast shpalljeje fajtor, ai përfiton uljen me një të tretën e dënimit.

SPAK ka kërkuar gjithashtu 9 vite burg për ish-shefin e policisë Ardrit Hasanbegaj. Seanca e radhës u shty për më 9 mars, kur pritet që avokatët mbrojtës të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Ndërkohë, Gjoka po gjykohet me procedurë të zakonshme edhe në një tjetër dosje të “Metamorfozës”, që lidhet me vrasjen e Gjin Ndojit, i njohur si Boriçi. Biznesmeni, i shpallur më herët “investitor strategjik” nga qeveria, u arrestua në korrik 2023 si pjesë e një organizate kriminale, pas zbardhjes së komunikimeve të kapura në aplikacionin Sky ECC, të administruara nga autoritetet franceze. Këto komunikime janë përdorur si bazë për hetime të shumta ndaj grupeve kriminale, zyrtarëve dhe funksionarëve të drejtësisë.

Gjoka ka kundërshtuar në të gjitha shkallët e gjykimit ligjshmërinë e ndalimit dhe përdorimin e provave të Sky ECC, por pa sukses. Edhe kërkesa e tij në Gjykatën Kushtetuese për shpalljen të papërdorshme të këtyre komunikimeve u rrëzua me vendim unanim më 30 dhjetor.

Sipas pretencës së SPAK, dënimet e kërkuara janë si më poshtë:

  • Pëllumb Gjoka – 14 vite burg, për sigurim kushtesh dhe mjetesh për vrasje ndaj Kleanthi Musabelliut dhe Dorian Dulit, armëmbajtje pa leje, pjesëmarrje në grup kriminal dhe korrupsion.
  • Behar Brahoviç (Bajri) – 15 vite burg, për sigurim kushtesh për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe grup kriminal.
  • Edmond Preka – 11 vite burg, për sigurim kushtesh për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe grup kriminal.
  • Astmer Bilali – 10 vite burg, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe sigurim kushtesh për vrasje.
  • Ardrit Hasanbegaj – 9 vite burg, për sigurim kushtesh për vrasje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
  • Xhevahir Lita – 6 vite burg, për zbulim të akteve sekrete dhe korrupsion.
  • Oltion Bistri – 9 vite burg, për korrupsion, zbulim të akteve sekrete dhe pastrim parash.

Procesi “Metamorfoza” konsiderohet një nga hetimet më të bujshme të viteve të fundit, pasi përfshin emra të biznesit, policisë dhe botës së krimit, me prova të bazuara kryesisht në komunikimet e dekriptuara nga Sky ECC.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit