Në parkimin publik nëntokësor të Sheshit Skënderbej, në qendër të Tiranës, qytetarët kryejnë pagesën për kohën e qëndrimit, por nuk marrin kupon tatimor.
Pamjet e siguruara nga JOQ ALBANIA tregojnë qytetarë që dalin nga parkingu duke paguar tek punonjësi, i cili u jep vetëm kusurin dhe i lejon të largohen pa kupon tatimor për pagesën e kryer. Ky fenomen nuk është i rastësishëm, por është vërejtur në disa raste të ndryshme nga qytetarë të ndryshëm.
Mungesa e kuponit tatimor për çdo pagesë krijon dyshime për menaxhim jo transparent të të ardhurave nga ky shërbim publik i bashkisë Tiranë dhe lehtëson evazionin fiskal.
Pak kohë më parë, Prokuroria e Fierit zbuloi një skemë të mirëorganizuar korrupsioni dhe evazioni fiskal brenda Bashkisë Fier. Hetimi tregoi se mungesa e pajisjeve fiskale në parkimin publik kishte shkaktuar një dëm financiar prej 422 mijë eurosh, ndërsa qytetarët paguanin rregullisht për një shërbim që nuk reflektohej në të ardhurat publike.
Policia dhe prokuroria arrestuan ish-nënkryetaren e Bashkisë me disa zyrtarë të kësaj bashkie duke i akuzuar për krijimin e një skeme “parkimi” me qëllim fshehjen e vërtetë të ardhurave nga ky shërbim.
Por Tirana nuk është Fieri për shkak se parkimet e Tiranës, si ai që ndodhet në sheshin Skënderbej, tjetri te stadiumi “Selman Stërmasi”, parkimi nëntokësor brenda sheshit të stadiumit “Arena”, parkimi te ish-“Stacioni i Trenit”, kalojnë mijëra makina në ditë dhe nëse në asnjë prej tyre nuk jepet kupon tatimor, evazioni fiskal dhe dëmi në buxhetin e bashkisë nga këto té ardhurat është miliona miliona lekësh.