Vetëm dy ditë më parë, në të njëjtin segment rruge që sot duket sikur nuk ka mësuar asgjë, një fëmijë 7-vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike. I vogli u përplas për vdekje nga dy automjete, ndërsa kërkonte lëmoshë mes korsive të mbushura me makina. Një trup i mitur u shua në asfalt, përballë syve të një shoqërie që u trondit për disa orë… dhe më pas vazhdoi si zakonisht.
Sepse sot, vetëm 48 orë më vonë, skena është identike. Fëmijë të tjerë, më të vegjël apo më të rritur, futen mes makinave në lëvizje, trokasin në xhama, zgjasin duart në ajër duke rrezikuar jetën për disa monedha. Në trotuar, prindërit i shohin. Institucionet i shohin. Shteti i sheh. Por askush nuk ndërhyn me forcën që kërkon urgjenca e situatës.
Shfrytëzimi i fëmijëve për përfitim është i ndaluar me ligj. Por ligji, në këtë rast, duket si një fletë e bardhë pa vlerë. Ku janë shërbimet sociale? Ku është policia bashkiake? Ku janë strukturat e mbrojtjes së të miturve? Si është e mundur që pas një vdekjeje kaq të rëndë, e njëjta skemë të vazhdojë pa asnjë masë konkrete?
Kjo nuk është më thjesht varfëri. Është neglizhencë institucionale. Është dështim i sistemit për të mbrojtur më të pambrojturit. Sepse një fëmijë 7-vjeçar nuk duhet të jetë kurrë në mes të rrugës duke lypur. Dhe nëse shteti nuk arrin ta heqë nga asfalti një fëmijë, atëherë për çfarë shërben?
A duhet të humbasë jetën edhe një tjetër që dikush të zgjohet?