Modelja shqiptare Misse Beqiri eshtë rikthyer fuqishëm në fokusin e mediave ndërkombëtare, pas përmendjes së emrit të saj në dokumente lidhur me financierin amerikan Jeffrey Epstein, një nga figurat më të diskutueshme të dekadës së fundit.
Sipas The Sun, dokumentet e publikuara së fundmi përshkruajnë një takim të vitit 2011 mes Beqirit dhe Epstein. Burime pranë modeles theksojnë se në atë kohë ajo ishte e re, në fillimet e karrierës së saj, dhe pa dijeni për të kaluarën penale të Epstein.
Takimi u organizua pas premtimeve për mundësi në botën e modelingut. Burimet shtojnë se asgjë e papërshtatshme nuk ka ndodhur, dhe se Beqiri sot shpreh keqardhje për viktimat, duke besuar se drejtësia duhet të vihet në vend.
Raportimet tregojnë se Epstein kishte shfaqur interes për modelen shqiptare, duke i propozuar një udhëtim me avion privat drejt Parisit për një sfilatë mode dhe një automjet luksoz me vlerë rreth 100 mijë paund. Takimi i parë thuhet se u zhvillua në rezidencën e tij shtatëkatëshe në Manhattan, me vlerë të përllogaritur rreth 37 milionë paund. Brenda vilës, Beqiri u habit nga një klasë e improvizuar me banka shkollore, por vazhdoi me shpresën për të përfituar profesionalisht. Ky takim ndodhi vetëm pak muaj pas përfundimit të një dënimi 13-mujor dhe një viti arrest shtëpie të Epstein, pas vendimit të vitit 2008 për sigurimin e një të miture për prostitucion. Sipas një miku të modeles, ajo nuk kishte dijeni për këtë të kaluar.
Në të njëjtën kohë, Beqiri rikthehet edhe në ekran me sezonin e ri të Ladies of London: The New Reign, duke e përshkruar si “surreal” momentin kur pa billboardin me imazhin e saj. Ajo thekson se rrugëtimi i saj ka qenë gjithçka tjetër përveç i lehtë.
Në jetën personale, Beqiri u bë e njohur edhe si bashkëshortja e ish-portierit të Manchester United, Anders Lindegaard, me të cilin ka një djalë. Më pas, ajo pati një lidhje të trazuar me Jake Hall, nga e cila lindi vajza e saj. Një nga plagët më të rënda mbetet vrasja e vëllait të saj, Flamur Beqiri, i cili u qëllua për vdekje në Londër në prag të Krishtlindjes 2019; për ngjarjen, Anis Hemissi u dënua me burgim të përjetshëm, me një minimum prej 35 vitesh.
Ndërsa hap një kapitull të ri në televizion dhe rikthehet në qendër të vëmendjes, e kaluara vazhdon ta ndjekë Misse Beqirin. Historia e saj mbetet një nga më të komentuarat në mediat britanike, mes famës, polemikave dhe sfidave personale.