Tensionet në Rrjoll të Velipojës nuk janë shuar, ato po shtypen me forcë. Sot situata degradoi në përplasje fizike mes banorëve dhe forcave të sigurisë, në një zonë ku Gjykata e Apelit u ka dhënë të drejtë qytetarëve. Megjithatë, në terren po veprohet sikur vendimet e drejtësisë nuk ekzistojnë. Banorët akuzojnë hapur Policinë e Shtetit se po mbron interesat e biznesmenit Bashkim Ulaj, duke ushtruar presion dhe forcë ndaj atyre që kundërshtojnë punimet.
Ngjarja e sotme ishte e drejtpërdrejtë dhe e dhunshme: një punonjës i "Berçani Security" ka goditur me grushte dy protestues , banorë të zonës që po mbronin pronën e tyre. Dhuna ndodhi në sy të efektivëve të policisë, të cilët nuk ndërhynë për të ndaluar agresorin.
Më tej, në vend që të ndalohej personi që ushtroi dhunë, Policia e Shtetit shoqëroi shtatë banorë në komisariat, ndërsa punonjësi i sigurisë private u largua pa asnjë pasojë. Banorët e quajnë këtë njëanshmëri të hapur dhe mbrojtje të interesave private me uniformë shteti. Për ta, ajo që po ndodh në Rrjoll nuk është më thjesht konflikt për tokën, por demonstrim force kundër qytetarëve që kërkojnë të zbatohet vendimi i gjykatës.