Vijojnë hetimet në kuadër të dosjes “AKSHI”, ku këtë të enjte Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka thirrur për deklarime shtetasen Xhenila Tamizi. Ajo rezulton vartëse e biznesmenit në arrati Ermal Beqiri dhe dyshohet se në emrin e saj janë regjistruar pasuri që, sipas hetimeve, i përkasin faktikisht këtij të fundit. SPAK po heton dyshimet për afera korruptive, pastrim parash dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
Në qendër të verifikimeve është një jaht luksoz tip “Pretador 50 Sky Fall”, i cili figuron i regjistruar në emër të Tamizit, por që dyshohet se është blerë nga Beqiri. Mjeti lundrues, me vlerë rreth 950 mijë dollarë, është bllokuar nga SPAK dhe ndodhet i ankoruar në portin e Durrës, në pritje të përfundimit të procedurave ligjore. Hetuesit po verifikojnë dokumentacionin për të provuar pronësinë reale dhe burimin e financimit. Tamizi punonjëse e Ermal Beqirit në “Soft&Solution” dhe “EA Solution” shpallte fituesit, i njoftonte se ishin përzgjedhur si fitues dhe pasi një stazhi, ata fillonin zyrtarisht punën.
Paralelisht, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj aseteve të tjera luksoze që dyshohet se janë përfituar nga abuzimet me tenderat e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Fokus i hetimit janë investimet në sektorin e ndërtimit në Tiranë, si dhe prona të paluajtshme në disa qytete të vendit. Prokuroria po kryen verifikime të thelluara financiare, duke mbledhur informacion nga bankat e nivelit të dytë dhe zyrat e hipotekës për të gjurmuar rrjedhën e parave dhe origjinën e pasurive të dyshuara.