Bllokimi 5-ditor i aksit Librazhd–Prrenjas ka sjellë jo vetëm zgjatje të kohës së udhëtimit, por edhe rritje të ndjeshme të çmimeve të biletave për qytetarët që udhëtojnë drejt Juglindjes.
Itinerari Tiranë–Korçë, që më parë përshkohej për rreth 3 orë, tashmë zgjat mbi 4 orë për shkak të devijimit të mjeteve nga segmenti Elbasan–Cërrik–Gramsh–Maliq. Zgjatja me 1 deri në 1 orë e 20 minuta ka shtuar konsumin e karburantit, kostot operative dhe amortizimin e mjeteve, duke ushtruar presion mbi operatorët.
Si pasojë, në disa raste rritja e kostove është reflektuar drejtpërdrejt në çmimin e biletës. Për linjën Tiranë–Përrenjas, çmimi nga 500 lekë ka shkuar në 1,000 lekë. Ndërsa për Tiranë–Korçë, bileta nga 700 lekë ka arritur në 800, 900 deri në 1,000 lekë, ose deri 40% më shumë se më parë. Edhe mjetet private po aplikojnë tarifa deri në dyfish, duke e bërë udhëtimin më të kushtueshëm për qytetarët.
Përveç rritjes së çmimeve, qytetarët që zgjedhin rrugë alternative përmes Maqedonisë së Veriut përballen me shpenzime shtesë për siguracionin e automjetit dhe dokumentacion shtesë në rast se udhëtojnë me fëmijë. Kjo ka rritur më tej barrën financiare, sidomos për familjet.
Përfaqësues të Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, deklarojne se zyrtarisht nuk ka ndryshim të miratuar të tarifave për linjat e rregullta, pasi ato përcaktohen me VKM sipas kilometrave të përshkruara, por pranoi se mund të ketë raste të izoluara abuzimi në terren.
Ndërkohë, fluksi i pasagjerëve ka rënë ndjeshëm. Sipas operatorëve, mjetet po qarkullojnë me 3–4 pasagjerë dhe po udhëtojnë kryesisht persona me nevoja emergjente. Deri në një zgjidhje përfundimtare të situatës, qytetarët e Juglindjes mbeten përballë udhëtimeve më të gjata dhe kostove më të larta.