Shembja e rrugës rrit me 3 mijë lekë biletën Korçë-Tiranë, nga 7 shkon 10!

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 26.02.2026, 10:32

Shembja e segmentit rrugor në zonën e Librazhdit po reflektohet drejtpërdrejt në xhepat e udhëtarëve. Prej pesë ditësh, linjat e autobusëve dhe mikrobusëve që lidhin Korçën me Tiranën kanë ndryshuar itinerar, duke u detyruar të kalojnë nga aksi alternativ Gramsh–Maliq. Devijimi ka shtuar distancën dhe kohëzgjatjen e udhëtimit, por edhe koston e operimit për kompanitë e transportit.

Si pasojë, çmimi i biletës është rritur me 300 lekë. Nëse më herët një biletë kushtonte 700 lekë, tashmë udhëtarët paguajnë 1000 lekë për një drejtim. Për ata që e bëjnë rrugën vajtje-ardhje brenda ditës, shpenzimi arrin në 2000 lekë.

Operatorët e transportit argumentojnë se rritja është e lidhur me konsumin më të lartë të karburantit dhe amortizimin e mjeteve në një rrugë interurbane me gjatësi më të madhe dhe me kthesa të shumta. Nga ana tjetër, qytetarët e konsiderojnë tarifën e re të papërballueshme, sidomos në një periudhë kur transporti publik mbetet alternativa kryesore për shtresat me të ardhura të ulëta.

Shumica e përdoruesve të kësaj linje janë persona që nuk disponojnë automjet privat dhe e kanë autobusin si të vetmen mundësi lëvizjeje për arsye pune, shëndeti apo arsimi. Për këtë arsye, po shtohen zërat që kërkojnë ndërhyrje institucionale dhe rimbursim të diferencës prej 300 lekësh nga shteti për aq kohë sa rruga kryesore mbetet e bllokuar.

Ndërkohë, udhëtarët që nisen nga Tirana drejt Korçës duhet të llogarisin një kohë udhëtimi që varion nga 5 deri në 8 orë, në varësi të trafikut dhe kushteve të motit, si dhe të informohen paraprakisht për itinerarin që ndjek kompania e transportit. Situata mbetet e përkohshme, por efekti ekonomik për qytetarët ka qenë i menjëhershëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit