Pas vdekjes së Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, dhe arrestimit të Ismael Zambada García, përplasjet e brendshme në radhët e Sinaloa Cartel janë përshkallëzuar, duke e kthyer Culiacán në epiqendër të një lufte të re për pushtet. Presidentja e Meksikës e cilësoi “rrëzimin” e El Mencho-s si një fitore të madhe kundër krimit të organizuar, por në terren duket se çdo goditje ndaj një lideri lë pas një boshllëk që mbushet me gjak.
Në Culiacán, frika është bërë e përditshme. Mjekët e urgjencës raportojnë rritje drastike të ndërhyrjeve, ku shumica përfundojnë me viktima të pajeta. Sulmet ndodhin në qendër të qytetit, në biznese, në rrugë të populluara, madje edhe pranë shkollave e spitaleve. Trupat shpesh lihen me mesazhe kërcënuese, shenjë e luftës së hapur mes fraksioneve rivale që dikur bashkëjetonin nën të njëjtin ombrellë kriminale. Qyteti, që njihej për gjallërinë e tij, boshatiset sapo bie nata, ndërsa patrullat ushtarake dhe pikat e kontrollit janë bërë pamje e zakonshme.
Ndërkohë, prodhimi i fentanilit, droga sintetike që përmbyt tregun amerikan, vijon pavarësisht operacioneve shtetërore dhe presionit nga SHBA. Anëtarë të fraksioneve pranojnë se përplasjet do të vazhdojnë derisa njëra palë të marrë kontrollin total. Në këtë betejë për territore dhe miliarda dollarë, viktimat më të shumta mbeten civilët: të vrarë në zjarrin e kryqëzuar, të rrëmbyer apo të zhdukur pa gjurmë. Arrestimet dhe eliminimet e krerëve mund të duken si fitore politike, por për banorët e Sinaloa-s realiteti është një cikël i pafund dhune që nuk njeh qetësi.