Një 47-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shtetit në Korçë, pasi akuzohet për shantazh dhe mashtrim ndaj disa shtetasve grekë, nga të cilët dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash. Në pranga ka rënë shtetasi Kristi Joga, i cili sipas hetimeve i ka marrë rreth 4 mijë euro një shtetasi grek, duke e kërcënuar për afro tre vite me publikimin e bisedave dhe fotove intime.
Arrestimi u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Blackmail”, i finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Korçë, pas katër muajsh hetime me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë. Sipas policisë, 47-vjeçari dyshohet se ka përdorur të njëjtën skemë edhe ndaj shtetasve të tjerë grekë, duke përfituar shuma që variojnë nga 30 mijë deri në 40 mijë euro.
Ndaj tij rëndojnë veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.