Një automjet tip “Range Rover” është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit në Pogradec. Ngjarja u regjistrua në lagjen nr. 1, në afërsi të Capri Center, ku mjeti u dogj pothuajse plotësisht, duke pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Forcat zjarrfikëse ndërhynë për shuarjen e flakëve, ndërsa zona u rrethua për kryerjen e veprimeve hetimore.
Burime bëjnë me dije se automjeti është në pronësi të Erjon Maxharit, një emër i njohur për policinë lokale për shkak të precedentëve të mëparshëm penalë. Ai ka qenë më herët efektiv policie në doganën e Qafë-Thanës dhe në vitin 2018 u arrestua së bashku me tre punonjës të tjerë policie, nën dyshimet për përfshirje në një grup të trafikut të klandestinëve drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Anglisë. Së fundmi, në shkurt të këtij viti, Maxhari u arrestua sërish pasi, bashkë me vëllanë e tij, dyshohet se kërcënoi dhe dhunoi një punonjës policie jashtë shërbimit në Pogradec.
Grupi hetimor po kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë për të zbardhur rrethanat e plota. Dyshimet paraprake flasin për një zjarrvënie të qëllimshme, megjithatë shkaku i rënies së zjarrit nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga autoritetet. Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një akt kriminal apo me një shkak aksidental.