A i keni vaksinuar fëmijët? Pse, ose pse jo?
Kjo pyetje, e shtruar në një grup për nënat në Faceboook, nxiti 23 përgjigje dhe disa replika.
Me dyshime mbi përbërjen e vaksinave dhe efektin e tyre, disa nëna treguan se nuk i kanë dërguar fëmijët për të marrë vaksinat.
Ligji për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse në Kosovë kërkon që çdo fëmijë që regjistrohet në çerdhe apo shkolla, të pajiset me dëshmi të vaksinimit. Por, komentet e disa nënave sugjerojnë se ky kriter nuk po respektohet plotësisht.
“Fëmija nuk e ndjek shkollën, është ende në kopsht. Fëmijës tjetër, më i madh, që e përfundon tani shkollën, nuk i janë kërkuar [dëshmitë e vaksinave]. Përkundrazi, kur është dashur t’i marrë në shkollë, nuk e kam dërguar atë ditë”, komentoi një nënë, e cila tha se fëmijët e saj nuk kanë marrë asnjë vaksinë.
REL-i e parashtroi këtë pyetje nxitur nga një raport i Komisionit Evropian, që evidentonte përhapjen e bindjeve konspirative në Kosovë, përfshirë besimin se kura për kancerin mbahet e fshehur për përfitime financiare dhe se viruset prodhohen qëllimisht për kontroll të shoqërisë.
Mbi 60 për qind e banorëve të Kosovës pajtohen me këto dy besime, sipas raportit të publikuar në shkurt të vitit të kaluar nga Komisioni Evropian.
Ai raport, i bazuar në intervista të bëra sy-më-sy me respondentë nga vendet evropiane, tregon se niveli i lartë i skepticizmit mbetet i ngjashëm në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.