Barcelona ka vendosur të rrisë ndjeshëm taksën për turistët, duke e çuar atë ndër më të lartat në Europë. Masa e re synon të frenojë numrin e vizitorëve dhe të ndihmojë në financimin e banesave të përballueshme për banorët vendas.
Parlamenti rajonal i Katalonjës miratoi ligjin që dyfishon taksën për qiratë afatshkurtra turistike, nga 6.25 euro në një maksimum prej 12.5 euro për natë. Ndërkohë, nga muaji prill, klientët e hoteleve do të paguajnë mes 10 dhe 15 euro për natë, në varësi të kategorisë së hotelit, nga 5–7.5 euro që ishte më parë.
Kjo do të thotë se një çift që qëndron dy netë në një hotel me katër yje – që përbëjnë gati gjysmën e strukturave akomoduese në qytet, mund të paguajë deri në 45 euro shtesë vetëm taksë turistike. Në hotelet me pesë yje, tarifa mund të arrijë në 15 euro për person, për natë. Pasagjerët e kroçierave do të vijojnë të paguajnë rreth 6 euro.
Sipas ligjit, një e katërta e të ardhurave nga kjo taksë do të përdoret për të përballuar krizën e strehimit në qytet.
Vendimi vjen pas protestave të vazhdueshme të banorëve, të cilët akuzojnë turizmin masiv dhe rritjen e qirave afatshkurtra për shtimin e çmimeve të banesave dhe vështirësimin e jetesës për vendasit. Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu ndalimin e plotë të qirave afatshkurtra deri në vitin 2028.
Reagimet janë të ndara. Disa turistë shprehen se Barcelona tashmë është një destinacion i shtrenjtë dhe rritja e taksës mund t’i bëjë të rishqyrtojnë vizitën. Nga ana tjetër, disa banorë mendojnë se masa është e arsyeshme, edhe pse jo e mjaftueshme për të zgjidhur krizën e strehimit.
Shoqata e hotelierëve ka ngritur shqetësime se rritja e taksës mund të ndikojë negativisht në numrin e 15.8 milionë turistëve që vizitojnë çdo vit qytetin, një nga destinacionet kryesore evropiane për turizëm dhe evente ndërkombëtare.
Debati tashmë është i hapur: a do të ndihmojë kjo masë në zgjidhjen e krizës së banesave, apo rrezikon të dëmtojë industrinë që mban gjallë ekonominë e qytetit?