Ndërkohë që Prokuroria e Posaçme (SPAK) po gërmon në zyrat dhe dosjet e tij, Arbër Abazi, pronari i kompanisë "ALKO IMPEX CONSTRUCTION", duket se nuk e ka humbur "shkëlqimin" në sytë e autoriteteve kontraktuese. Edhe pse i thirrur së fundmi si person nën hetim, ai ka arritur të rrëmbejë një tjetër tender miliona eurosh për shërbime pastrimi, duke konfirmuar statusin e tij si një prej "klientëve" më të preferuar të fondeve publike.
Dyshimet për një fitues të paracaktuar lindin sapo sheh shifrat e këtij prokurimi të hapur:
Në gjuhën e prokurimeve, kur diferenca mes fondit maksimal dhe ofertës fituese është vetëm 1.84%, gara konsiderohet fiktive, pasi asnjë biznes normal nuk do të guxonte të ofronte kaq pranë tavanit pa pasur një "garanci" paraprake se konkurrenca do të ishte zero.
Arbër Abazi nuk është thjesht një biznesmen, por një emër që mban peshën e lidhjeve të forta politike.
Deri më sot, vlera e tenderave të fituar nga kompanitë nën kontrollin e Arbër Abazit (përfshirë "Alko Impex Construction" dhe degët e saj) përllogaritet në shifra marramendëse.
Pavarësisht kësaj "fortune" financiare, janari i vitit 2026 shënoi një kthesë për biznesmenin. SPAK ushtroi kontroll të befasishëm në banesën dhe zyrat e tij, duke sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente në kuadër të hetimeve për korrupsion me lotet e Unazës së Madhe dhe aferës "Berberi".
Abazi u thirr në SPAK pasi në përgjimet e prokurorisë dyshohet se kanë dalë komunikime që zbardhin skemën e paracaktimit të fituesve dhe shpërndarjes së "rryshfetit" në këmbim të kontratave miliona euroshe. Megjithatë, as kontrollet e BKH-së dhe as pyetjet e prokurorëve nuk e kanë penguar atë të vazhdojë të thithë miliona të tjera nga arkë e shtetit, siç dëshmon edhe ky tender i fundit i fituar me 98% të fondit limit.