Ishte në arrest shtëpie, del për xhiro në Golem, bashkë me kunatin sherr me Policinë

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 25.02.2026, 21:35

Një incident me armë zjarri është shënuar mbrëmjen e sotme në zonën e Golemit, Kavajë, pas një përplasjeje mes efektivëve të Policisë dhe disa personave që kundërshtuan shoqërimin në komisariat.

Sipas burimeve zyrtare, rreth orës 19:10, një patrullë e Policisë ka konstatuar gjatë kontrollit rutinë në terren shtetasin A. B., 38 vjeç. Ai ndodhej në rrugë në shoqërinë e disa personave të tjerë, ndonëse rezultonte me masë sigurie “arrest në shtëpi”, të vendosur për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Efektivët i kanë kërkuar shpjegime për shkeljen e masës së sigurisë dhe e kanë njoftuar se do të shoqërohej në Komisariatin e Policisë Kavajë për procedurat përkatëse. Në këtë moment, situata është tensionuar.

Sipas Policisë, 38-vjeçari dhe kunati i tij, A. Sh., 23 vjeç, kanë kundërshtuar me forcë ndërhyrjen e uniformave blu, ndërsa në konflikt janë përfshirë edhe familjarë të tjerë që ndodheshin në vendngjarje.

Për të neutralizuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të përplasjes, një efektiv i Policisë ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit. Pas të shtënës paralajmëruese, në zonë kanë mbërritur forca të tjera mbështetëse, të cilat kanë bërë të mundur shoqërimin në komisariat të personave të përfshirë në kundërshtim.

Po ashtu, në ambientet e Komisariatit është dërguar edhe vetë A. B., për procedim lidhur me thyerjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit