Koalicioni PS-PD bëri zv/drejtor të Portit Durrës 24-vjeçarin! E motra e besuar e Saliut

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 25.02.2026, 21:08

Emërimi i një 24-vjeçari në një nga postet drejtuese të institucionit më të rëndësishëm portual të Durrësit ka hapur debat në qarqet politike dhe administrative.

Mëngjesin e sotëm u bë publik fakti se posti i zv/drejtorit të përgjithshëm në Autoritetin Portual Durrës i është besuar Rubin Rredhit, një i ri nga Lushnja, i diplomuar për Juridik.

Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë zhvillim është rikthimi në organogramë i pozicionit të zv/drejtorit – një post që ishte hequr në kohën kur porti drejtohej nga ministri aktual i mbrojtjes Pirro Vengu.

Sipas burimeve, emërimi është kryer së fundmi nga zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Rredhi vjen nga një familje me profil të qartë politik. Ai është djali i ish-kryetarit të komunës Remas nën siglën e Partisë Demokratike dhe vëllai i Elizabeta Rredhit, kandidate për deputete e Partia Demokratike e Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Në rrjetet sociale, Elizabeta Rredhi shfaqet në foto me figura të njohura të së djathtës, përfshirë nënkryetarin e PD-së dhe deputetin e Durrësit Oerd Bylykbashi, deputeten Albana Vokshi dhe ish-deputeten Grida Duma.

Kontrasti politik bëhet edhe më i dukshëm po të merret parasysh se emërimi vjen nga një zv/kryeministrja socialiste, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare mbante rolin e Drejtueses Politike të qarkut Fier dhe arriti një rezultat të fortë elektoral për të majtën në këtë zonë. Pikërisht në këtë qark, ku përfshihet edhe Lushnja, Partia Socialiste siguroi 12 mandate.

Pak muaj pas këtij rezultati, vëllai i një prej figurave më të votuara të primareve të PD-së në Fier merr një post kyç në portin më të madh të vendit. Elizabeta Rredhi, e cila rezultoi ndër më të votuarat në primaret e 11 majit me 492 vota, u tërhoq nga gara pasi nuk u përfshi në listën e mbyllur të qarkut. Në atë kohë, ajo deklaroi se kishte pasur një marrëveshje paraprake me Sali Berisha për përfshirjen në listë.

Rasti i Rredhit, i kombinuar me precedentë të tjerë emërimesh ndërkrahës politike, po lexohet nga shumëkush si një sinjal se përtej retorikës së ashpër publike, raportet mes së majtës dhe së djathtës në nivele të caktuara pushteti funksionojnë mbi një logjikë më pragmatike sesa përplasëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit