Ndërkohë që akset kryesore kombëtare po pësojnë kolaps strukturore njëri pas tjetrit, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një strategji tashmë të njohur: relativizimin përmes ironisë. Pas bllokimit të rrugës Librazhd-Përrenjas, ku dëmtimet e asfaltit e kanë bërë qarkullimin të pamundur, kreu i qeverisë nuk ka dhënë llogari për cilësinë e punimeve, por ka sulmuar kritikët duke i krahasuar me Portugalinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale këtë të mërkurë, Rama ka shpërndarë një foto nga një situatë e ngjashme në shtetin portugez, duke tentuar të bindë opinionin publik se shembja e rrugëve në Shqipëri është thjesht një "fenomen natyror" që ndodh edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
Në reagimin e tij, Kryeministri ka përdorur një gjuhë tejet sarkastike ndaj opozitës dhe mediave, të cilat i ka etiketuar si "tenxhere mediatike". Sipas tij, ndryshe nga Portugalia ku "opozita është në gjumë", në Shqipëri çdo dështim infrastrukturor kthehet në kauzë për denoncime në SPAK.
“Çudi e madhe, në Portugali ka ndodhur kjo nga të njëjtat fenomene, po s’po e marr vesh se si ka mundësi që opozitat e këtushme nuk e kanë denoncuar akoma në SPAK këtë vepër të korrupsionit,” shkruan Rama, duke tentuar të zhvlerësojë akuzat për vjedhje me fondet e rrugëve.
Megjithatë, kjo tentativë për të bërë paralelizma me Portugalinë shihet si një përpjekje e dëshpëruar për të shmangur përgjegjësinë. Ndërkohë që në vendet e BE-së rrugët dëmtohen nga katastrofa natyrore të jashtëzakonshme, në Shqipëri asfalti hapet dhe bazamenti shembet në rrugë të sapopërfunduara që kanë kushtuar miliona euro për kilometër.
Për kritikët, "asfalti i rrugës Librazhd-Përrenjas" nuk po denoncohet se u prish nga shiu, por sepse tregon qartë cilësinë e dobët të punimeve dhe mungesën e standardeve që paguhen me taksat e qytetarëve. Rama i cilëson analistët si "gjithologë" që nxjerrin "fakte të tmerrshme", por pamjet nga terreni flasin më qartë se çdo ironi në internet: një aks kombëtar i paralizuar dhe një infrastrukturë që nuk i reziston as kohës më të rëndomtë.
Pavarësisht krahasimeve gjeografike të Kryeministrit, faktet mbeten: qytetarët shqiptarë paguajnë rrugë me kosto evropiane, por marrin cilësi që "tretet" me rrebeshin e parë.