Një tjetër investim miliona eurosh i financuar nga taksat e qytetarëve shqiptarë po dështon në mënyrë spektakolare, duke u kthyer në një rrezik serioz për jetën e udhëtarëve. Aksi rrugor Skrapar-Përmet, i cili u trumbetua me bujë si një urë lidhëse për turizmin e jugut, ka pësuar dëmtime të rënda strukturore, duke nxjerrë në pah cilësinë e dyshimtë të punimeve të kryera nga kompania "Salillari".
Skenat e raportuara gjatë orëve të fundit ngjasojnë më shumë me pasojat e një tërmeti sesa me një rrugë kombëtare të ndërtuar vetëm pak vite më parë. Pranë fshatit Rog Çepan, në afërsi të Përmetit, asfalti është çarë tejpërtej, duke u pasuar nga një shembje masive e bazamentit që e ka bërë kalimin thuajse të pamundur. Situata nuk paraqitet më mirë as në hyrje të Skraparit, pranë fshatit Buzuq, ku një masiv shkëmbor është shkëputur duke bllokuar plotësisht qarkullimin dhe duke izoluar zonën.
![]()
Ky degradim i aksit rrugor nuk është një surprizë për ata që kanë ndjekur historikun e këtij projekti. Loti i parë i kësaj rruge, me gjatësi prej rreth 5 kilometrash, i kushtoi buxhetit të shtetit plot 1.2 miliardë lekë (rreth 10 milionë euro). Me një kosto marramendëse prej 2 milionë eurosh për kilometër, pritshmëritë ishin për një vepër me standarde evropiane, por realiteti flet për një histori tjetër.
Punimet, të cilat nisën në vitin 2017 dhe përfunduan në qershor të vitit 2019, filluan të shfaqnin problemet e para vetëm dy vite pas inaugurimit. Që në vitin 2021, rruga pësoi rrëshqitje të dherave dhe dëmtime të bazamentit, duke paralajmëruar atë që po ndodh sot.
![]()
Prapaskenat e këtij dështimi teknik u zbardhën që në vitin 2019 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Në një auditim të detajuar mbi dosjen teknike, ekspertët konstatuan se kompania "Salillari", një nga firmat e preferuara të qeverisë, kishte anashkaluar masa sigurie kritike.
“Megjithëse janë bërë rishikime dhe përmirësime të projektit dhe është përdorur fondi rezervë dhe është realizuar shtesë kontrate në vlerë, qëllimi kryesor i projektit për të realizuar Lotin 1 të Segmentit Skrapar- Përmet, me të gjitha karakteristikat e kërkuara në projektin fillestar nuk është përmbushur plotësisht, ku mungon shtresa asfaltike, sinjalistika dhe punime të tjera të parashikuara”, thuhej shprehimisht në raportin e KLSH-së.
Duket se nga momenti i këtyre konstatimeve, kompania është mjaftuar me "arna" dhe riparime sipërfaqësore. Këto ndërhyrje minimaliste kanë dështuar të mbajnë në këmbë një strukturë që po degradon me ritme alarmante, duke kulmuar me çarjen e fundit që e bën rrugën të rrezikshme për çdo automjet.
![]()
Pëllumb Salillari, pronari i kompanisë që ka gllabëruar miliona nga buxheti për këtë segment, njihet si një nga afaristët më të afërt me Kryeministrin Edi Rama. Në opinionin publik mbetet ende e freskët imazhi i "puthjes në ballë" që Kryeministri i dha Salillarit, një gjest që sot merr një konotacion tjetër përballë rrugëve që shkërmoqen.
Mbetet për t'u parë nëse kjo mbështetje politike do ta shpëtojë sërish kompaninë nga përgjegjësia ligjore dhe financiare për një rrugë që kushtoi sa "qimet e kokës" dhe u shemb pa mbushur dekadën. Sot, banorët e Skraparit dhe Përmetit, në vend të zhvillimit të turizmit të premtuar, përballen me izolimin dhe rrezikun e vazhdueshëm nga masivet shkëmbore.