Banorët e zonës së fshatit Cerujë, në Klos, i janë drejtuar redaksisë tonë duke ngritur një shqetësim serioz për gjendjen e rënduar të rrugës që lidh këtë zonë me pjesën tjetër të qytetit.
Sipas raportimit të një qytetari, rruga është e prishur dhe në disa segmente e shembur, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe duke rrezikuar sigurinë e banorëve.
Prej kohësh, sipas tij, askush nuk ka ndërhyrë për ta riparuar apo për të marrë masa konkrete për përmirësimin e situatës.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, si dhe vendosjen e një tabele paralajmëruese apo sinjalistike që të tregojë se rruga është e dëmtuar, me qëllim shmangien e aksidenteve të mundshme.
“Të gjithë jemi lënë në mëshirë të fatit”, shprehet qytetari, duke apeluar për zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi që prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të komunitetit.