Tregu i Zdralës në Shkodër po shkon drejt shuarjes dhe përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi drejtimin e Bashkia Shkodër dhe kryebashkiakun Benet Beci. Një zonë që prej vitesh ka qenë burim jetese për dhjetëra familje, sot është kthyer në një hapësirë të zbrazët, ku mungon qarkullimi dhe bashkë me të edhe klientela.
Vendimi për ta kthyer tregun në pedonale, pa një plan të qartë për aksesin, parkimin dhe gjallërimin ekonomik të zonës, ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta financiare. Në orare të ndryshme të ditës, dyqanet qëndrojnë hapur përballë një rruge bosh. Rënia e xhiros është e ndjeshme dhe shumë biznese janë në prag mbylljeje. Kjo nuk është thjesht çështje estetike urbane, por çështje mbijetese për ekonomi të vogla familjare.
Në vend të projekteve të imponuara nga lart, Zdrale ka nevojë për zgjidhje reale dhe urgjente. Heshtja dhe mungesa e reflektimit nga ana e drejtuesve vendorë vetëm sa thellon krizën. Nëse nuk ka një rishikim të menjëhershëm të këtij organizimi, tregu rrezikon të mbetet simbol i një vendimmarrjeje të shkëputur nga realiteti i qytetarëve dhe biznesit të vogël.