Pas më shumë se katër muajsh që nga ndalimi i qarkullimit me monopatina, një grup aktivistësh dhe qytetarësh ka dalë sot në protestë para Ministrisë së Brendshme. Protestuesit kërkojnë kthimin e skuterave të sekuestruar dhe anulimin e vendimit që ndalon përdorimin e tyre në rrugët e kryeqytetit.
Ata kërkojnë gjithashtu dëmshpërblim për bizneset dhe qytetarët që kanë pësuar humbje ekonomike si pasojë e ndalimit, duke theksuar se masat e marra kanë ndikuar negativisht në aktivitetin ekonomik dhe lirinë e lëvizjes urbane. Protestuesit shprehin shqetësim për mungesën e dialogut me institucionet dhe kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme.
Para disa ditësh, ministrja Albana Koçiu përsëriti se nuk do të tërhiqet nga vendimi për ndalimin e monopatinave dhe bëri me dije se po punohet për rregullimin e kuadrit ligjor që do të përcaktojë përdorimin e tyre në të ardhmen. Qytetarët dhe bizneset mbeten të shqetësuar për pasojat e masës.