Shembja e aksit Librazhd-Përrenjas, Konfindustria: Goditje e rëndë, SPAK të hetojë!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 25.02.2026, 11:26

Konfederata e Industrive të Shqipërisë ka reaguar ashpër lidhur me bllokimin e aksit Librazhd-Përrenjas, i cili vazhdon prej pesë ditësh, duke e cilësuar situatën si një goditje të rëndë për ekonominë dhe sigurinë kombëtare. Sipas Konfindustrisë, ndërprerja e qarkullimit kërcënon prodhimin vendor, bizneset dhe industrinë, dhe në rast të moszgjidhjes së shpejtë, pasojat financiare mund të jenë të rënda, deri në falimentim për disa aktorë ekonomikë.

Konfindustria thekson se qytetarët mund të drejtohen drejt shteteve fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Greqia për furnizime me ushqime dhe karburant, duke rritur kështu presionin mbi ekonominë kombëtare. Shkatërrimi i rrugës kombëtare dhe mbyllja e saj, që përkon me gjurmën e Korridorit 8, po shkëput pjesërisht Juglindjen e vendit, ndërsa problemet në akset ndihmëse, tunelet dhe urat e tjera e bëjnë situatën edhe më të ndërlikuar dhe të rrezikshme për ekonominë.

Konfindustria paralajmëron se vonesa në zgjidhjen e situatës mund të zhvleftësojë pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë si vend tranzit i besueshëm për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve Lindje-Perëndim, duke favorizuar konkurrentët rajonalë, përfshirë Greqinë, dhe duke rrezikuar detyrimet e vendit ndaj NATO-s. Autoritetet kërkohen të marrin masa të jashtëzakonshme dhe urgjente për të rikthyer normalitetin dhe sigurinë e qarkullimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit