Mario Mërkuri, babai i 20-vjeçarit shqiptar Rikardo Mërkuri, i cili dyshohet se dhunoi nënën e tij në Itali dhe më pas u mbyt në det, ka rrëfyer detaje tronditëse mbi ngjarjen e rëndë.
Në një prononcim për mediat italiane, ai deklaroi se i biri ndërmori aktin fatal pasi mendoi se kishte shkaktuar vdekjen e së ëmës gjatë një konflikti të ashpër në banesë.
“Ka menduar se nëna kishte vdekur dhe e bëri atë gjest. Ishte i vendosur”, është shprehur ai.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 22 shkurtit, vetëm pak orë pasi familja kishte festuar së bashku 20-vjetorin e të riut. Sipas babait, pas darkës ai ishte larguar nga shtëpia dhe në mungesë të tij mes nënës dhe djalit kishte shpërthyer një debat i fortë, që degjeneroi në dhunë fizike.
Albana Kastriot u gjet më pas nga bashkëshorti e shtrirë pa ndjenja në banjë, me dëmtime të rënda në fytyrë. Ajo u transportua fillimisht në spitalin e Macerata dhe më pas u transferua në spitalin rajonal “Torrette” në Ankona, ku pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të kirurgjisë maksilofaciale. Sipas familjarëve, gjendja e saj është përmirësuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“E ëma e donte marrëzisht. Edhe kur kishte gabim, ajo gjithmonë e mbronte”, ka shtuar babai, duke theksuar se mes tyre kishte pasur edhe më herët debate, por asgjë që të paralajmëronte një përfundim tragjik.
Trupi i 20-vjeçarit ndodhet në morgun e spitalit të Civitanova Marche që prej së dielës, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Familja, me origjinë shqiptare dhe prej vitesh e vendosur në Pollenza, njihet në komunitetin lokal. Përveç prindërve, i riu lë pas vëllain e madh, Alessio Mërkuri, dhe gjyshen, Bedrie.