Ka nisur zyrtarisht puna për demontimin e urës së Dragostunjës në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas, pas dëmtimeve të mëdha që pësoi nga rrëshqitja dhe fundosja e tokës. Struktura u destabilizua rëndë nga lëvizja e masivit të dheut, duke bërë të pamundur riparimin dhe duke e kthyer urën në një rrezik për qarkullimin dhe sigurinë publike. Specialistët konfirmuan se zhvendosja e trupit të rrugës dhe çarja e shtresave mbajtëse e kanë nxjerrë jashtë funksioni totalisht.
Procesi i demontimit po kryhet me mjete të rënda dhe nën masa të rrepta sigurie, për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit. Zona vijon të konsiderohet me risk të lartë gjeologjik, ndërsa lëvizjet e tokës raportohen ende aktive në disa segmente përreth. Autoritetet kanë vendosur masa për të mbajtur larg publikut dhe për të garantuar sigurinë e punonjësve gjatë ndërhyrjes. ARRSH si zgjidhje provizore për të rilidhur juglindjen me pjesën tjetër të Shqipërisë ka menduar ndërtimin e një rruge provizore 1.3 km buzë Shkumbinit.
Shembja e urës ka thelluar krizën e qarkullimit në këtë arterie të rëndësishme, duke izoluar përkohësisht komunitete të tëra dhe duke devijuar trafikun në rrugë alternative rurale që nuk përballojnë fluksin e madh të automjeteve. Autoritetet pritet të hartojnë një projekt të ri për ndërtimin e një strukture më të qëndrueshme, të përshtatur me kushtet gjeologjike të zonës, ndërsa banorët kërkojnë transparencë për afatet dhe garanci për një zgjidhje afatgjatë.