Shembja e segmentit rrugor Librazhd–Pogradec ka ngritur pikëpyetje të forta mbi shkaqet reale të dëmtimit. Ndër faktorët e dyshuar për këtë situatë është edhe gërryerja e lumit Shkumbin për nxjerrjen e inerteve, të përdorura në ndërtimin e segmentit të ri Elbasan–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8.
Aktualisht rezultojnë 5 leje aktive për marrjen e zhavorrit në basenin e Shkumbinit, të dhëna kompanive që kanë fituar lote të ndryshme të këtij projekti rrugor.
Segmenti Elbasan–Qafë Thanë, me një kosto rreth 212 milionë euro, po shoqërohet me pasoja që tejkalojnë vlerën financiare, pasi prej ditësh qarkullimi është bllokuar për shkak të dëmtimit të rrugës Librazhd–Pogradec.
Zyrtarisht, institucionet e kanë cilësuar situatën si pasojë të rrëshqitjeve natyrore. Megjithatë, ndërtimi i rrugës së re është shoqëruar me leje për shfrytëzimin e shtratit të Shkumbinit për inerte nga kompanitë zbatuese.
1.5 milionë m² shtrat lumi dhe mbi 3.5 milionë m³ inerte
Sipas të dhënave, sipërfaqja totale e lejuar për gërryerje arrin në 1,565,141 metër katror, ndërsa sasia e përgjithshme e inerteve që parashikohet të merret nga shtrati i lumit është 3,531,728 metër kub.
Katër kompani që kanë fituar lote të projektit Elbasan–Qafë Thanë dhe projekte të tjera të lidhura me aksin Elbasan–Lekaj, rezultojnë me leje aktive për shfrytëzimin e basenit të Shkumbinit.
Kompanitë dhe lejet përkatëse
ANK – Fituese e lotit 4 për zgjerimin e rrugës Elbasan–Qafë Thanë (20 milionë euro), segment pranë zonës ku ndodhi shembja masive.
Alb-Building – Fituese e lotit të parë të rrugës (21.8 milionë euro)
4 AM – Ka marrë leje në prill 2024 për zbatimin e projektit “Zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë Thanë (Faza II)” me vlerë 24.2 milionë euro.
Alb-Building (leje e dytë) – Në korrik 2025 ka marrë një tjetër licencë, me afat deri në 2028.
Salillari – Licencë e marrë në qershor 2025, me afat deri në 2028.
Ndikimi në lumin Shkumbin
Gërryerja e zhavorreve ka ndryshuar ndjeshëm strukturën natyrore të Shkumbinit, duke zgjeruar shtratin e lumit. Ndërkohë, lejet për inerte nuk janë të vetmet që janë dhënë në këtë zonë, raporton Shqiptarja.com.
Janë miratuar gjithashtu dhjetëra leje për përdorimin e burimeve ujore nëntokësore dhe sipërfaqësore, si edhe leje ndërtimi pranë basenit të Shkumbinit.
Ndërsa institucionet e lidhin situatën me faktorë natyrorë, të dhënat mbi shfrytëzimin intensiv të shtratit të lumit dhe projektet infrastrukturore në zhvillim mbeten pjesë e debatit mbi shkaqet reale të dëmtimit të rrugës.