Juglindja në “asfiksi”: Bllokimi i rrugës rrit çmimet e ushqimeve dhe boshatis hotelet në Korçë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.02.2026, 19:10

Izolimi i juglindjes së vendit nuk është më thjesht një problem qarkullimi, por është shndërruar në një goditje frontale për ekonominë e zonës, duke sjellë pasoja të menjëhershme në xhepat e qytetarëve dhe në xhiron e bizneseve.

Me aksin kryesor të bllokuar, efektet e para kanë nisur të ndihen te çmimet e fruta-perimeve dhe produkteve ushqimore bazë. Tregtarët e zonës raportojnë se koha e transportit është rritur ndjeshëm për shkak të devijimeve të detyruara, ku shumë prej tyre duhet të kalojnë nga aksi Përmet-Tepelenë, duke e çuar kohëzgjatjen e udhëtimit deri në 12 orë vajtje-ardhje.

Kjo vonesë ka sjellë mungesë furnizimesh dhe ka dyfishuar kostot e transportit, kosto të cilat po reflektohen drejtpërdrejt te konsumatori final.

Tregtarët e dëshpëruar tregojnë se situata është kthyer në një katastrofë të vërtetë, ku në shumë raste furnizuesit detyrohen të flenë rrugëve. Ata paralajmërojnë se nëse rruga nuk hapet urgjentisht, do të detyrohen të mbyllin aktivitetet e tyre, pasi me produktet e pakta që mbërrijnë dhe kostot e larta të karburantit, mbijetesa ekonomike është bërë e pamundur.

Trafiku i rënduar në rrugët alternative vetëm sa e përkeqëson gjendjen, duke i bërë bizneset të ndihen plotësisht të pashpresa përballë këtij bllokimi që nuk po gjen zgjidhje.

Goditja nuk ka kursyer as sektorin e turizmit, i cili është mushkëria ekonomike e Korçës dhe Pogradecit. Operatorët turistikë raportojnë një situatë alarmante ku rreth 70 përqind e rezervimeve në hotele dhe bujtina janë anuluar brenda pak ditësh.

Pasiguria në qarkullim dhe frika nga udhëtimet e gjata nëpër rrugë dytësore kanë bërë që vizitorët të tërhiqen, duke lënë restorantet dhe njësitë e shërbimit me rënie drastike të xhiros. Sipërmarrësit e revoltuar theksojnë se kjo është hera e tretë brenda këtij sezoni që përballen me të njëjtin problem, ndërsa paralajmërojnë se vazhdimësia e kësaj gjendjeje mund të çojë në falimentimin e shumë bizneseve që nuk i përballojnë dot më këto shpenzime të jashtëzakonshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit