“Nuk dimë kur hapet”: Qeveria dorëzohet para rrëshqitjes në Librazhd-Përrenjas

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.02.2026, 19:04

Situata në aksin strategjik Librazhd–Përrenjas ka kaluar në një ngërç total, duke lënë të gjithë zonën e juglindjes së vendit në izolim të plotë. Pas rrëshqitjes masive të rrugës që ka paralizuar qarkullimin prej ditësh, qeveria shqiptare duket se është "dorëzuar" përballë situatës, pasi nuk është në gjendje të japë asnjë datë apo afat konkret se kur do të rikthehet lëvizja normale për qytetarët dhe mjetet.

Në një konferencë për mediat, kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, pranoi hapur pasigurinë e institucioneve. Edhe pse bëhet fjalë për një rrugë me rëndësi jetike për ekonominë dhe lëvizjen e njerëzve, Kozeli u mjaftua me deklaratën se rruga do të rikthehet në funksion vetëm pas "normalizimit të situatës" dhe "sigurimit të plotë", duke e lënë fatin e këtij aksi në duart e kohës dhe pa asnjë plan emergjence të menjëhershëm.

Në mbledhjen e datës 24 shkurt, autoritetet kanë listuar disa vendime që ngjasojnë më shumë me projekte afatgjata sesa me zgjidhje për njerëzit që kanë mbetur të bllokuar. Plani parashikon ndërtimin e një rruge të re alternative që do të kalojë përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin, si dhe prishjen e urës ekzistuese për të lehtësuar ngarkesën mbi skarpatën që po rrëshqet. Po ashtu, flitet për një disiplinim të ujërave sipërfaqësore në të gjithë zonën e planit të rrëshqitjes, por asnjë nga këto masa nuk u jep përgjigje mijëra udhëtarëve që sot nuk kanë asnjë rrugëdalje.

Ndërkohë që qeveria merret me plane dhe projekte në letër, aksi Librazhd-Përrenjas mbetet i pakalueshëm. Kjo paaftësi për të menaxhuar krizën po godet rëndë bizneset dhe qytetarët e juglindjes, të cilët e shohin veten të prerë nga pjesa tjetër e vendit, ndërsa institucionet përgjegjëse vetëm konstatojnë dëmin pa ofruar dot një zgjidhje në kohë reale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit