Prej katër ditësh, pika kufitare e Qafë Thanës është shndërruar në një "burg" të hapur për rreth 50 drejtues mjetesh të tonazhit të rëndë. Një bllokim në zonën e Urës së Arrave ka bërë që vargu i kamionëve, kryesisht me targa të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, të mbetet i palëvizur, duke krijuar një ngërç të rëndë transporti.
Shoferët e bllokuar po përballen me mungesën e kushteve minimale jetësore. Pa akses në ushqim, higjienë apo shërbime bazë, ata janë detyruar t'i kthejnë kabinat e kamionëve në shtëpi të përkohshme.
Një shofer turk, i gjendur në këtë situatë prej 72 orësh, dha një dëshmi prekëse për mediat:
"Jemi në gjendje shumë të vështirë. Nuk kemi as vend ku të hamë, as restorant pranë. Çdo gjë është shpenzim i tepërt. Makinat tona po shkatërrohen sa herë kalojmë këtu. Si qytetar turk, më vjen shumë keq për shqiptarët që jetojnë në këtë gjendje. Shqiptarët janë vëllezërit tanë. Duam që edhe këtu të ndërtohen rrugë moderne."
Segmenti i Qafë Thanës është një nga nyjet më të rëndësishme tregtare të Shqipërisë, ku qarkullojnë mbi 200 mjete të rënda në ditë si dhe mallra tranzit që lidhin Turqinë dhe Ballkanin me Portin e Durrësit.
Pavarësisht rëndësisë ekonomike, infrastruktura e vjetruar po kthehet në makth për transportuesit. Deri në këtë moment, nuk ka një njoftim zyrtar për zgjidhjen e problemit te Ura e Arrave, ndërsa shoferët mbeten me sy nga rruga, duke shpresuar për një ndërhyrje që do t'i nxjerrë nga ky izolim i detyruar.