Partia Socialiste pritet të vendosë të enjten nëse do t’i hapë rrugë kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Grupi parlamentar do të mblidhet më 26 shkurt në orën 11:00 në Pallatin e Brigadave, me prezencën e Ramës. Vendimi i shumicës do të përcaktojë nëse Kuvendi do të lejojë arrestimin e zv/kryeministres apo do ta rrëzojë kërkesën e prokurorisë.
Një ditë më parë, prokurorët e SPAK paraqitën argumente shtesë para deputetëve, duke kërkuar masën “arrest me burg” për Ballukun. SPAK tha se të fortët kërcënuan dëshmitarët në emër të saj. Siç thanë prokurorët e SPAK, pozita e zv/kryeministres njëherësh ministre e Ministrisë së Infrastrukturës dhe energjisë është rënduar dhe rrezikon deri në 35 vite burg.
Zëra brenda PS kanë lënë të kuptohet se masa e pezullimit nga detyra shihet si e mjaftueshme për vijimin e hetimeve. Nga ana tjetër, opozita akuzon socialistët se po mbrojnë numrin dy të qeverisë dhe po pengojnë drejtësinë. Tashmë gjithçka mbetet në dorë të votës së shumicës socialiste në seancat e ardhshme plenare.
A do ta “shesë” Rama politikisht Ballukun përballë presionit të drejtësisë, apo do ta mbrojë duke rrëzuar kërkesën e SPAK? Përgjigjja pritet të jepet të enjten, në një vendim që mund të ndikojë fort klimën politike në vend.