Zbardhet dëshmia e plotë e Laureta Buçpapajt, dhënë në polici pas shpalljes në kërkim të bashkëshortit të saj, Gazment Buçpapaj, i dyshuar për vrasjen e Elgi Pashollari.
Sipas deklarimit të saj, rreth orës 15:05 të datës 20 shkurt, pasi kishte përfunduar punën, ajo ishte larguar me një automjet tip “Audi” që drejtohej nga bashkëshorti. Gjatë lëvizjes në rrugën “Ylbere Bylykbashi” dhe më pas në “Kongresi i Lushnjës”, mes tyre dhe një mjeti gri ishte krijuar tension në qarkullim. Ajo ka treguar se drejtuesi i makinës gri u kishte bllokuar rrugën, ndërsa Gazment Buçpapaj i kishte rënë borisë për ta paralajmëruar. Sipas saj, nga mjeti tjetër ishin dëgjuar ofendime të rënda, por ata kishin vijuar rrugën pa reaguar.
Pak më vonë, e njëjta makinë gri po lëvizte sërish shumë ngadalë përpara tyre. Pas sinjalizimit me bori, mjeti kishte ndaluar. Nga automjeti kishte zbritur një i ri rreth 30 vjeç, trupdobët, i veshur me bluzë të zezë me mëngë të shkurtra, i shoqëruar nga dy persona të tjerë, të cilët iu afruan makinës së çiftit.
Në ato momente kishte zbritur edhe Gazment Buçpapaj dhe mes palëve kishte nisur një përplasje fizike me grushte. Laureta Buçpapaj ka deklaruar se edhe ajo kishte dalë nga makina dhe kishte shtyrë drejtuesin e mjetit gri dhe një nga personat që e shoqëronte. Pas disa çastesh, ajo kishte vënë re se drejtuesi i mjetit tjetër ishte i gjakosur. Sipas saj, bashkëshorti e kishte kapur nga krahu dhe ishin larguar me shpejtësi.
Nga verifikimet e kamerave të sigurisë rezulton se rreth 50 metra larg vendit të ngjarjes ata kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në këmbë drejt Rrugës së Kavajës. Më pas kanë marrë një taksi për në banesën e tyre në zonën e Sharrës.
Në dëshminë e saj, Laureta Buçpapaj ka pohuar se në banesë bashkëshorti kishte ndërruar rrobat dhe ishte larguar në këmbë në drejtim të qendrës së Tiranës, pa marrë me vete telefonin celular. Ajo ka deklaruar se që prej atij momenti nuk ka më dijeni për vendndodhjen e tij.
Gjithashtu, ajo është shprehur se nuk e ka parë momentin konkret të goditjes, por dyshon se bashkëshorti mund ta ketë goditur viktimën me një thikë, të cilën e mbante në automjet. Që pas ngjarjes, Gazment Buçpapaj vijon të jetë në kërkim nga policia.