Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë sonë një problem që e përjeton çdo drejtues mjeti në territorin e Bashkia Vorë: gropa të mëdha në rrugë që, në vend të riparohen siç duhet, mbushen me zhavorr.
Pamjet flasin vetë. Në vend të asfaltit dhe ndërhyrjes serioze, hidhen gurë sa për të mbuluar përkohësisht problemin. Pas pak ditësh – ose pas reshjes së parë – zhavorri shpërndahet, gropa rikthehet dhe qytetarët vazhdojnë të paguajnë koston me makina të dëmtuara.
Por përgjegjësia nuk ndalet vetëm te bashkia. Punimet kryhen nga Fusha shpk, një kompani që duket se e ka kthyer “zgjidhjen provizore” në standard pune. Nëse kjo quhet mirëmbajtje rruge, atëherë pritshmëritë janë ulur në minimum historik.
Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli – kërkojnë rrugë që zgjasin më shumë se një javë. Zhavorri nuk është investim, është fasadë. Dhe kur fasada bie me shiun e parë, mbetet vetëm gropa… dhe një pyetje e thjeshtë: kush mban përgjegjësi?