Vrasja e 25-vjeçarit shqiptar në Itali, dyshime për lidhje me operacionin antidrogë “Djali”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 24.02.2026, 12:45

Vrasja e 25-vjeçarit shqiptar, i cili u qëllua me plumb në kokë fundjavën e kaluar në Asti të Italisë, dyshohet se mund të ketë lidhje me një operacion antidrogë të zhvilluar nga Karabinierët në korrik të vitit të kaluar, të koduar “Djali”.

Sipas mediave italiane, pista kryesore që po shqyrtohet nga Prokuroria e Astit lidhet me larje hesapesh dhe prishje të pazareve të drogës. Megjithatë, theksohet se viktima, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, nuk rezulton me precedentë penalë të regjistruar.

Autopsia konfirmoi se i riu, i cili jetonte në zonën e Alba-s dhe besohet se së fundmi ishte zhvendosur pranë vendit ku ndodhi krimi, kishte marrë një plumb në kokë. Arma e krimit nuk është gjetur në vendngjarje.

Ngjarja ndodhi në lagjen La Bassa. Trupi u zbulua rreth orës 07:30 të mëngjesit të 21 shkurtit nga një kalimtar i rastësishëm, pranë automjetit të viktimës, një “Lancia Ypsilon”, e regjistruar në emër të një familjari. Automjeti është sekuestruar nga autoritetet. Viktima ishte mbuluar me rërë dhe gjethe, në një përpjekje të dukshme për të fshehur trupin.

Hetuesit dyshojnë se 25-vjeçari mund të ketë qenë në makinë me autorin në momentin e krimit, ose mund të ketë shkuar për një takim në vendin ku u qëllua për vdekje. Një tjetër pistë e mundshme është ngritja e një prite ose futja e tij në kurth.

Në vendngjarje ishte e pranishme edhe zëvendësprokurorja publike e Gjykatës së Astit, Sara Paterno, së bashku me Karabinierët e Bra-s dhe ekspertët e mjekësisë ligjore. Ajo po koordinon hetimet, të cilat po zhvillohen nën konfidencialitet të plotë.

Trupi u gjet pranë një ndërtese historike në fshatin Pedaggera, në zonën e Chivola-s. Mediat italiane raportojnë se, ndonëse viktima nuk kishte të kaluar kriminale, ai mund të ketë qenë i përfshirë në një rrjet të dyshuar të trafikut të drogës. Ky skenar ngjan me skemën e zbuluar gjatë operacionit “Djali”, kur Karabinierët në Bra goditën një grup që rekrutonte shtetas shqiptarë, i sillte në Itali me viza turistike 90-ditore dhe më pas i përdorte për trafik droge përpara se t’i riatdhesonin.

Ndërkohë, kryetarja e bashkisë së Santa Vittoria d’Alba, Adriana Dellavalle, deklaroi se Prokuroria e Astit po heton çështjen me diskrecion maksimal. Sipas saj, viktima mendohet të jetë zhvendosur së fundmi në fshatin Cinzano dhe për këtë arsye nuk ishte i njohur për komunitetin lokal. Autoritetet vendore po e ndjekin situatën në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit