Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit Noizy, është thirrur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për t’u përfshirë në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiu, në cilësinë e viktimës së veprës penale.
Pjesë e këtij procesi mund të bëhen gjithashtu edhe babai i tij, Bashkimi, si dhe motra e artistit. Sipas procedurës, në momentin që çështja ka kaluar për gjykim, viktimat kanë të drejtë të marrin pjesë në seanca, të përfaqësohen nga një avokat ose të zgjedhin të mos përfshihen fare në proces.
Gjykata ka detyrimin t’i njoftojë viktimat për zhvillimin e gjyqit, duke u dhënë atyre mundësinë të njihen me procedurat dhe të shprehen para trupit gjykues.
Ngjarja lidhet me shpërthimin e rreth 100 gramëve tritol në biznesin e Noizyt në qershor të vitit 2022. Si pasojë e shpërthimit, u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në dyqanin e veshjeve dhe në lokalin që ndodheshin në katin e parë dhe të dytë të një pallati pranë zonës bregdetare të Durrësit. Lënda plasëse ishte vendosur në murin e jashtëm të objektit dhe ishte aktivizuar me fitil përcjellës.
Sipas hetimeve të Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, tritoli dyshohet se ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiut, si kundërpërgjigje ndaj dhunimit të mikut të tij, Kleviol Ahemeti, nga persona të afërt me Noizyn.