Një emigrant që erdhi sot nga Gjermania për të shkuar në vendlindje u përball me një udhëtim të vështirë për shkak të bllokimit total të rrugës kombëtare Librazhd–Pogradec. Prej katër ditësh, qarkullimi drejt juglindjes është paralizuar për shkak të shembjes së plotë të segmentit në zonën e “Arrave të Gurrës”, ku vazhdojnë rrëshqitjet e tokës dhe është dëmtuar edhe traseja e rrugës së re, pjesë e Korridorit VIII.
Qytetari tregoi se, duke u përpjekur të kalonte segmentin, pyeti policinë për udhëzim, por iu tha qartë të kthehej ose të merrte rrugën alternative përmes maleve. Rruga drejt Korçës i mori dy orë, ndërsa automjeti pësoi dëmtime për shkak të terrenit të vështirë dhe gjendjes kritike të rrugës.
"Rruga drejt Europës! Erdha sot nga Gjermania për të shkuar në vendlindje dhe mora malet. Pyeta policinë dhe më thanë të kthehesha ose të merrja rrugën përmes maleve. Rruga drejt Korçës më mori dy orë, ndërsa automjeti pësoi dëmtime gjatë udhëtimit". shkruan qytetari.