Këtë të martë, 24 shkurt, në Apelin e Posaçëm do të shqyrtohet ankimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër vendimit të gjyqtares Etleva Deda për “arrestit me burg”. Veliaj kërkon zëvendësimin e masës me një alternativë më të butë, duke propozuar garanci pasurore ose çdo masë tjetër të parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale, përjashtuar izolimin në qeli. Mbrojtja argumenton se situata procedurale ka ndryshuar, pasi çështja tashmë ka kaluar për gjykim dhe provat janë administruar, duke reduktuar rrezikun e manipulimit të tyre.
Çështja në ngarkim të Veliajt ka kaluar për gjykim më 9 shkurt, një vit pas arrestimit të tij më 10 shkurt 2025, ku ai akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Në këtë proces përfshihen edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila akuzohet për mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash, biznesmeni Elman Abule, si dhe ish-deputetja Klotilda Bushka, si dhe subjekte juridike.
Tre gjyqtarë të përzgjedhur me short elektronik do të gjykojnë 18 persona fizikë dhe pjesën tjetër të shoqërive që përballen me akuza për pastrim parash. Studiot ligjore ndërkombëtare që mbrojnë Veliajn, Kasowitz dhe Mishcon de Reya, pretendojnë se kryebashkiaku po përballet me një persekutim të qartë politik, duke kërkuar një trajtim të drejtë dhe të paanshëm nga sistemi gjyqësor shqiptar.