Segmenti i rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas po përballet me pasoja serioze nga fundosjet e tokës, të cilat sipas burimeve teknike shkojnë deri në 9 cm. Ky fenomen ka bërë që qarkullimi të jetë i vështirë dhe ka rritur rrezikun për trafikun e qytetarëve dhe transportin e mallrave, duke nxjerrë në pah paaftësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e udhëhequr nga Belinda Balluku.
Edhe pas disa ditësh bllokimi, zgjidhja emergjente duket të vijë vetëm pas tryezave intensive me inxhinierët më të mirë të vendit, ndërsa diskutimet për devijimin e segmentit dhe anulimin e punimeve aktuale janë bërë pasi fundosjet arritën nivelet kritike prej 9 cm. Ky fakt tregon mungesën e parashikimit dhe menaxhimit profesional nga ministria për një rrugë strategjike kombëtare.
Qytetarët dhe bizneset rajonale mbeten të bllokuar dhe të shqetësuar për pasojat e fundosjeve, ndërsa Ministria duket e papërgatitur për të marrë vendime afatgjata dhe të sigurta. Situata tregon nevojën e një strategjie serioze për menaxhimin e infrastrukturës rrugore në zona me risk gjeologjik të lartë.
Ndërkohë, banorët e fshatit Spathar në Librazhd kanë vendosur vetë sinjalistikë orientuese dhe paralajmëruese. Sinjalistikat me emrin e destinacioneve janë vendosur në segmentin rural Spathar-Rruga Antike Egnatia-Dardhë-Hotolisht, i cili po përdoret si rrugë alternative pas bllokimit të aksit kombëtar Librazhd-Prrenjas.
