Pas eliminimit të kreut të kartelit Cártel de Jalisco Nueva Generación (CJNG), autoritetet meksikane po përballen me një përshkallëzim të ndjeshëm të dhunës, në një moment tejet delikat kur vendi po përgatitet të bashkëorganizojë FIFA World Cup 2026.
“El Menço”, baroni i drogës, i cili drejtonte një nga organizatat kriminale më të fuqishme dhe më të dhunshme në Meksikë, u eliminua mes pritshmërive se reagimi i kartelit do të ishte i ashpër. Megjithatë, sipas raportimeve, vala e dhunës që pasoi ka tejkaluar parashikimet fillestare, duke përfshirë zona të ndryshme të vendit.
Edhe pse aktualisht situata duket disi më e qetë, nuk ka sinjale të qarta se tensionet do të zbuten në mënyrë të qëndrueshme. Analizat theksojnë se kartelët zakonisht reagojnë në tre forma pas goditjeve të tilla: së pari, përmes demonstrimit të forcës për të frenuar ndërhyrje të tjera të shtetit; së dyti, përmes përplasjeve të brendshme për pushtet apo luftërave territoriale me rivalët; dhe së treti, përmes sulmeve të drejtpërdrejta ndaj institucioneve dhe forcave të sigurisë.
CJNG, së bashku me kartelin Sinaloas, konsiderohen ndër prodhuesit kryesorë të drogave sintetike, përfshirë fentanilin që trafikohet drejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shkakton mijëra viktima çdo vit. Megjithatë, eliminimi i liderit nuk nënkupton domosdoshmërisht dobësimin e menjëhershëm të strukturës së kartelit.
Sipas raportimeve, lufta kundër narkotikëve e administratës së Donald Trump është përqendruar në Kolumbi, Ekuador, Venezuelë dhe Meksikë. Pas arrestimit të presidentit venezuelian Nicolás Maduro në janar, presioni ndaj autoriteteve meksikane për të intensifikuar goditjet ndaj karteleve është rritur ndjeshëm.
Vdekja e “El Menço” pritet të shihet pozitivisht në Uashington dhe mund të zbusë pjesërisht presionin ndaj presidentes së Meksikës, Claudia Sheinbaum.
Megjithatë, me afrimin e Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrik, sfida kryesore mbetet garantimi i stabilitetit dhe sigurisë. Në të kundërt, pasiguria mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimet e tifozëve dhe vizitorëve për të udhëtuar drejt Meksikës gjatë turneut.