Peter Mandelson është liruar me kusht nga Metropolitan Police, disa orë pasi u arrestua të hënën në Camden, në veri të Londrës, nën dyshimin për shpërdorim detyre në funksion publik. Sipas BBC, ai u pa duke u kthyer në banesën e tij rreth orës 02:00, pasi ishte shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje.
Hetimi lidhet me pretendimet se, gjatë kohës kur shërbente si ministër në qeverinë britanike, Mandelson kishte përcjellë informacione të ndjeshme qeveritare për tregun tek i ndjeri Jeffrey Epstein. Arrestimi pasoi kontrolle në dy adresa në Wiltshire dhe Camden. Dokumente të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë përfshijnë emaile të vitit 2009 dhe 2010, ku përmenden çështje si taksa mbi bonuset e bankierëve dhe një paketë shpëtimi për euron.
Mandelson, i cili u emërua ambasador i Britanisë në SHBA në shkurt 2025 dhe u shkarkua në shtator, nuk ka komentuar publikisht mbi çështjen, por ka mohuar çdo shkelje penale. Qeveria britanike ka paralajmëruar publikimin e dokumenteve që lidhen me emërimin e tij, ndërsa konsultimet mes policisë dhe Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës vijojnë. Reagime ka pasur edhe nga familja e Virginia Giuffre, si dhe nga figura politike në Britani.