Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria kishte 328 automjete pasagjerësh për 1,000 banorë në vitin 2024, nga 232 në vitin 2022. Popullsia zbriti në 2.36 milionë banorë pas Censit 2023, me rreth 400 mijë banorë më pak. Në fund të vitit 2025, numri i autoveturave arriti në 847 mijë, duke e çuar treguesin në 358 mjete për 1,000 banorë.
Mesatarja e Bashkimit Europian në vitin 2024 ishte 578 automjete për 1,000 banorë. Normat më të larta u regjistruan në Itali (701), Luksemburg (670), Finlandë (666) dhe Qipro (661) për 1,000 banorë. Normat më të ulëta u regjistruan në Letoni (424), Rumani (444) dhe Hungari (447). Në rajon, Shqipëria renditet mbi Bosnjë-Hercegovinën (321), Maqedoninë e Veriut (318) dhe Kosovën (232), por nën Malin e Zi (417) dhe Serbinë (377).
Në vitin 2024 u regjistruan 85.7 mijë mjete pasagjerësh për herë të parë në Shqipëri, nga të cilat 66.2% me naftë (56.7 mijë), 17.6% me benzinë dhe 12.9% me energji alternative; makinat elektrike përbënin 3.3%. Në Bashkimin Europian, 14.9% e mjeteve të regjistruara ishin me naftë, 58.6% me benzinë, 11.9% elektrike dhe 14.6% me energji alternative.