Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është rizgjedhur si Sekretar i Përgjithshëm i 'Partisë Koreane të Punës', sipas mediave shtetërore në Phenian.
Vendimi u bë publik gjatë Kongresit të Nëntë të partisë, një ngjarje politike që zhvillohet çdo pesë vite dhe konsiderohet momenti më i rëndësishëm për përcaktimin e prioriteteve strategjike të vendit.
Agjencia shtetërore KCNA raportoi se nën udhëheqjen e Kim, Koreja e Veriut ka “përmirësuar në mënyrë radikale kapacitetin e saj të parandalimit ushtarak”, me forcat bërthamore si shtyllë kryesore.
Që nga marrja e pushtetit në vitin 2011, pas vdekjes së babait të tij, Kim ka investuar fuqishëm në programin bërthamor, duke rritur tensionet me Perëndimin, veçanërisht me SHBA-në.
Pavarësisht sanksioneve të gjata ndërkombëtare, Pheniani ka vijuar testimet e raketave balistike ndërkontinentale, ndërsa pak para nisjes së kongresit prezantoi edhe sisteme të reja lëshimi raketash me kapacitet bërthamor.
Megjithatë, për shkak të sekretit të regjimit, është e vështirë të vlerësohet realisht progresi ushtarak i vendit.
Sipas mediave shtetërore, më shumë se gjysma e anëtarëve të presidiumit të partisë janë zëvendësuar që nga kongresi i fundit në vitin 2021, një sinjal i mundshëm i riorganizimeve të brendshme në elitën politike.
Në fjalimin hapës, Kim premtoi rritje ekonomike dhe përmirësim të standardit të jetesës, duke i cilësuar këto si “detyra historike të rënda dhe urgjente”.
Vëmendje të veçantë ka tërhequr edhe mundësia e paraqitjes publike të vajzës së tij, Kim Ju Ae, e cila sipas shërbimeve sekrete të Koresë së Jugut konsiderohet si pasardhëse e mundshme.
13-vjeçarja është shfaqur gjithnjë e më shpesh në evente zyrtare, përfshirë inspektime raketash dhe aktivitete ushtarake.
Presidenti kinez Xi Jinping e telefonoi Kim për ta uruar për rizgjedhjen, duke theksuar se do të punojë për “një kapitull të ri në miqësinë Kinë–Kore e Veriut”.
Kina mbetet aleati kryesor dhe partneri më i madh tregtar i Phenianit, ndonëse Pekini ka shprehur herë pas here shqetësim për ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut dhe afrimin e saj me Rusinë.