Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një deklaratë që ka tërhequr vëmendje të madhe, duke thënë se “nuk e di sa gjatë do të jem këtu”, vetëm një ditë pas incidentit të armatosur në rezidencën e tij në Florida.
Gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh me tone gjysmë serioze, gjysmë ironike:
“Nuk e di sa gjatë do të jem këtu. Ka shumë njerëz që më kanë në shënjestër, apo jo?”
Ai shtoi se, sipas tij, sulmet dhe kërcënimet zakonisht drejtohen ndaj “presidentëve me ndikim”.
“Ju lexoni për këta persona të çmendur me armë, por ata shkojnë vetëm pas presidentëve me ndikim. Nuk shkojnë pas presidentëve pa ndikim”, deklaroi Trump.
Në fjalën e tij, ai përmendi edhe ish-presidentët Abraham Lincoln dhe John F. Kennedy, duke i cilësuar si figura “me peshë” historike.
Në një moment me nota humori, ai tha: “Ndoshta duhet të jem me më pak ndikim. A mund ta ulim pak ritmin? Duhet të jem një president normal për pak kohë.”
Deklarata e tij po qarkullon gjerësisht në rrjet, sidomos pjesa ku ai thotë se nuk e di “sa gjatë do të jetë këtu”, një fjali që është interpretuar në mënyra të ndryshme nga opinioni publik.
Kujtojmë se një ditë më parë, një 21-vjeçar i identifikuar si Austin Tucker Martin u qëllua për vdekje nga Shërbimi Sekret pasi tentoi të hynte i armatosur në resortin Mar-a-Lago në Florida. Presidenti nuk ndodhej aty në momentin e incidentit, ndërsa autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.