“Si kunja shkrepëse”, shikoni si ka përfunduar hekurudha në Librazhd

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23.02.2026, 21:24

Një denoncim i rëndë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një qytetar ngre alarmin për shkatërrimin e linjës hekurudhore Elbasan–Librazhd, konkretisht në zonën e njohur si kthesa e Murrashit. Sipas pamjeve të dërguara, segmenti hekurudhor duket i shpërbërë plotësisht, duke u kthyer në një dëshmi të degradimit të infrastrukturës publike. Qytetari denoncon faktin se kjo gjendje është shkaktuar nga ndërhyrjet e papërgjegjshme njerëzore, ku inertet e mbledhura nga hapja e tunelit në këtë zonë janë hedhur në mënyrë të pakontrolluar në shtratin e lumit.

Ky veprim ka sjellë ngushtimin e shtratit dhe devijimin e rrjedhës natyrale të ujit, i cili tashmë ka gërryer dhe shkatërruar bazamentin e hekurudhës, duke e lënë atë të varet në ajër si të ishte "kunja shkrepëse". Denoncuesi thekson se asnjë media tjetër nuk po e pasqyron këtë skandal, ndërkohë që pasuria publike po asgjësohet dita-ditës nga papërgjegjshmëria e kompanive që kryejnë punimet dhe mungesa e mbikëqyrjes nga institucionet.

Sipas mesazhit të qytetarit, situata është alarmante pasi devijimi i lumit nga inertet e tunelit ka bërë që hekurudha të humbasë qëndrueshmërinë e saj, duke u kthyer në një gërmadhë metalike. Kjo thirrje vjen si një kërkesë për llogaridhënie ndaj autoriteteve që kanë lejuar këtë masakër infrastrukturore në një nga akset që dikur shërbente si nyje jetike për transportin në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit