Situata e rënduar në aksin që lidh Tiranën me Juglindjen ka nxjerrë në pah një realitet tronditës, ku në mungesë të plotë të ndërhyrjes institucionale, banorët e fshatit Spathar në Librazhd janë detyruar të marrin rolin e shtetit.
Përballë një fluksi të pazakontë automjetesh që ka mësyrë drejt rrugëve rurale pas bllokimit të aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, komuniteti vendas ka vendosur vetë sinjalistikën orientuese dhe paralajmëruese në segmentin Spathar–Rruga Antike Egnatia–Dardhë–Hotolisht.
Kjo rrugë, e cila ishte projektuar fillimisht vetëm për qarkullim lokal, është kthyer tashmë në arterien kryesore për të gjithë udhëtarët që synojnë juglindjen e vendit.
Me qindra automjete që përshkojnë çdo ditë këtë segment rural, rreziku për aksidente është rritur ndjeshëm për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së parametrave të sigurisë. Të gjendur në këto kushte, banorët kanë improvizuar tabela dhe shenja orientuese në pikat më problematike për të shpëtuar jetën e drejtuesve të mjeteve që nuk e njohin zonën.
Ky veprim, megjithëse dëshmon një përgjegjësi të lartë qytetare, konsiderohet si një turp i vërtetë për autoritetet rrugore, të cilat e kanë lënë këtë nyje jetike në mëshirë të fatit dhe të improvizimeve mesjetare.
Banorët e zonës japin alarmin se ky aks nuk mund ta përballojë për shumë kohë këtë volum kaq të madh qarkullimi pa një ndërhyrje emergjente për zgjerim dhe standardizim. Ata theksojnë se situata kërkon reagim të menjëhershëm nga shteti, pasi përveç vështirësisë në lëvizje, ky bllokim po kthehet në një pengesë serioze për ekonominë dhe urgjencat shëndetësore që duhet të kalojnë mes përmes rrugëve të fshatit.