Dy shqiptarë në krye të trafikut të heroinës dhe kokainës në Itali, goditet rrjeti i tyre

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 23.02.2026, 16:09

Dy shtetas shqiptarë dyshohet se ishin në krye të një organizate të strukturuar kriminale që merrej me trafikimin e kokainës dhe heroinës mes Pulias dhe Abrucos, e goditur nga operacioni i gjerë antidrogë “Rondò”, i zhvilluar në orët e para të mëngjesit me urdhër të Gjykatësit për Hetimet Paraprake të Tribunale di Pescara.

Sipas hetuesve, dy shqiptarët, të vendosur prej kohësh në Montesilvano edhe përmes aktiviteteve tregtare, menaxhonin në mënyrë të ndarë trafikun: njëri ishte i përqendruar te kokaina, tjetri te heroina. Organizata funksiononte me strukturë hierarkike, me bashkëpunëtorë dhe korrierë të besuar, ndërsa komunikimet realizoheshin përmes telefonave të kriptuar për t’iu shmangur përgjimeve.

Operacioni, i cili përfshiu edhe Trani, u shtri njëkohësisht në Pescara, Vasto, San Severo dhe zona të tjera, me angazhimin e një dispozitivi të madh të Arma dei Carabinieri, të mbështetur edhe nga një helikopter i Njësisë së 6-të të Helikopterëve në Bari. Në total u ekzekutuan 20 masa sigurie në paraburgim.

Hetimi, që zgjati mbi një vit dhe u koordinua nga Prokuroria e Peskarës, dokumentoi dy kanale të ndara furnizimi. Kokaina vinte nga veriu i Italisë, ndërsa heroina nga zona e Foggias, veçanërisht nga San Severo, prej nga niseshin korrierët drejt Abrucos.

Një rol kyç në kanalin e heroinës dyshohet se ka luajtur bashkëshortja e njërit prej të hetuarve, me origjinë nga zona e Foggias, e cila mbante kontakte të drejtpërdrejta me furnitorët. Ngarkesat, të përbëra nga kilogramë lëndë narkotike, transportoheshin drejt tregut abrucez.

Përgjimet zbuluan edhe mënyrën e përcaktimit të çmimit: në një bisedë të përgjuar, një nga të dyshuarit theksonte se heroina nuk duhej të shitej mbi 7 euro për gram. Çmimi përcaktohej sipas përqindjes së parimit aktiv dhe substancave përzierëse të përdorura për rritjen e volumit.

Gjatë aktivitetit hetimor u sekuestruan rreth 30 kilogramë heroinë dhe kokainë, si dhe mbi 100 mijë euro cash. U gjetën edhe presa me kallëpe hekuri për paketimin e blloqeve të drogës.

Në flagrancë u arrestuan 15 persona, mes tyre korrierë dhe individë të lidhur me dy drejtuesit e dyshuar të organizatës. Në disa raste u përdorën edhe persona të padënuar më parë për të ruajtur përkohësisht lëndën narkotike në banesat e tyre.

Operacioni përfshiu provincat e Peskarës, Chietit, Foggias dhe Barletta-Andria-Trani, duke konfirmuar lidhje të strukturuara mes Pulias dhe Abrucos, me Montesilvanon si qendër organizative të trafikut. Hetimet vijojnë për të zbardhur përgjegjësi të tjera dhe për të rindërtuar plotësisht rrjetin kriminal të goditur nga “Rondò”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit