Policia italiane ka arrestuar katër shtetas shqiptarë, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e ndodhur një vit më parë në qytetin e Prato, një ngjarje që hetuesit e lidhin me larje hesapesh dhe kontroll territori për aktivitetin e paligjshëm të drogës.
Në burg është dërguar një 19-vjeçar, i konsideruar nga prokuroria si autori kryesor i vrasjes së Vladimir Lleshi, 38 vjeç, i cili u gjet i pajetë verën e kaluar në kopshtet e rrugës Via Baracca. Sipas hetimeve, i riu dyshohet se e ka goditur viktimën me kaçavidë gjatë një përleshjeje, duke i shkaktuar një plagë fatale në kraharor.
Zyra e Prokurorit të Pratos bëri me dije se janë ekzekutuar katër masa sigurie të lëshuara nga gjyqtari hetues, të gjitha ndaj shtetasve shqiptarë. Përveç 19-vjeçarit, tre të tjerë janë vendosur në arrest shtëpiak: një 22-vjeçar, një 20-vjeçar në komunën e Montemurlo dhe një 23-vjeçar në Prato. Ata akuzohen për përleshje të rënduar.
Ngjarja ka ndodhur më 8 maj, kur, sipas policisë, Lleshi u godit në gjoks me kaçavidë, plagë që preku barkushen e majtë të zemrës. Ai ndërroi jetë më pas në spitalin e Pratos si pasojë e dëmtimeve të marra.
Hetuesit dyshojnë se përplasja ka qenë pjesë e një konflikti mes grupeve rivale. Sipas deklaratës zyrtare, një grup prej dy shqiptarësh, të armatosur me një kaçavidë dhe një prerës kutish, u përball me një grup tjetër prej katër personash, ku bënte pjesë edhe viktima. Shkaqet e konfliktit, sipas gjyqtarit, lidhen me pretendime të ndërsjella, provokime, fyerje, xhelozi dhe dinamika të “supremacisë territoriale”, tipike për përplasjet mes grupeve të rinjsh rivalë.