Një ngjarje e rëndë është raportuar në Kypseli, Greqi, ku një 25-vjeçare me aftësi të kufizuara dyshohet se u sulmua seksualisht brenda banesës së familjes së saj.
Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e një 64-vjeçari shqiptar, i cili dyshohet si autor i ngjarjes.
Nëna e të resë, Katerina Bekjari, ka përshkruar momentet dramatike kur u kthye në shtëpi dhe pa burrin mbi vajzën e saj. Sipas saj, ajo mori një tigan dhe e goditi në kokë për ta larguar, duke u përpjekur të mbronte të bijën.
Megjithatë, ekspertiza mjeko-ligjore nuk konstatoi shenja keqtrajtimi, çka, sipas nënës, ishte befasuese.
Pamje nga kamerat e sigurisë, të publikuara nga televizioni MEGA, tregojnë 64-vjeçarin duke hapur derën e jashtme të apartamentit me çelësa, duke hyrë brenda dhe duke e mbyllur pas vetes. Në video shfaqet edhe përplasja mes tij dhe nënës, ku ai e godet ndërsa ajo përpiqet të reagojë.
Një fqinjë e të dyshuarit deklaroi se nëna e 25-vjeçares i kishte rrëfyer ngjarjen, por fillimisht ajo nuk e kishte besuar. Ajo shtoi se më herët e kishte parë 64-vjeçarin duke kujdesur për një vajzë me aftësi të kufizuara në karrocë, gjë që i kishte lënë përshtypje pozitive.
Sipas raportimeve të protothema.gr, 64-vjeçari dyshohet se ishte njohur me nënën gjatë një shpërndarjeje ushqimi në kishë. Denoncimi u bë nga nëna, e cila, pasi pa pamjet nga kamerat e shtëpisë, ndërhyri menjëherë.
Gjatë përpjekjes për të njoftuar policinë, ajo pretendon se u dhunua me grushte dhe shkelma nga i dyshuari. Pas incidentit, 64-vjeçari u largua dhe mbetet në kërkim nga autoritetet.