Arrestohet sërish në Tiranë nipi i “Gaxhait” të Vlorës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 23.02.2026, 10:31

Policia e Tiranës ka vënë në pranga nipin e “Gaxhait”, i cili u kap i armatosur në ambientet e një lokali në kryeqytet.

Shërbimet e Komisariatit nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasin Silger Dimo, teksa qëndronte me armë zjarri tip pistoletë në një lokal në rrugën “Selman Riza”. Arma u sekuestrua si provë materiale. Sipas burimeve, Dimo kishte dalë pak kohë më parë nga burgu, ku kishte përfunduar sërish për të njëjtën vepër penale, armëmbajtje pa leje.

Kush ishte “Gaxhai”?

Pas këtij emri qëndron Gazmir Braka, një nga figurat më të njohura të botës së krimit në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997. I njohur me nofkën “Gaxhai”, ai u konsiderua si kreu i një prej bandave më të rrezikshme të asaj periudhe, me një histori të gjatë vrasjesh, grabitjesh me armë dhe përplasjesh të përgjakshme.

“Gaxhai” ka marrë dy dënime me burgim të përjetshëm. I pari lidhet me vrasjen e Ilir Paja dhe Arbën Xhunga, ndërsa i dyti për një seri ekzekutimesh të tjera, mes tyre edhe atë të efektivit të policisë Viron Rrapaj.

Aktiviteti i tij kriminal nisi në kulmin e kaosit të vitit 1997, në përplasje të drejtpërdrejta me bandën rivale të Zani Çaushi. Në fshatin Cerkovinë dhe zonat përreth, ai ngriti një grup të armatosur të strukturuar, që më pas mori emrin “Banda e Gaxhait”.

Përplasjet mes dy grupeve u bënë simbol i asaj periudhe të errët për Vlorën dhe gjithë vendin. Në kulmin e konfliktit, banda e tij u paraqit e organizuar në Komisariatin e Policisë së Vlorës për të marrë mjete të blinduara, në një akt që dëshmonte jo vetëm armatosjen dhe organizimin e grupit, por edhe sfidën e hapur ndaj rendit kushtetues të kohës.

Sot, mbi dy dekada më pas, emri i “Gaxhait” mbetet i lidhur me një nga kapitujt më të përgjakshëm të historisë së krimit në Shqipëri, ndërsa arrestimi i nipit të tij rikthen sërish në vëmendje hijen e asaj periudhe.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit